Nënkryetari i parë i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PSHDK), Anton Antoni ka njoftuar se pas dy mandateve punë, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, raporton GazetaDemos.
Kjo dorëheqje, siç merr vesh GazetaDemos, vjen pas koalicionit parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, teksa Antoni rëndit këto arsye:
- Marrëveshja e fundit e PSHDK-së, e prezantuar nga kryetari z. Zef Morina, është ndërmarrë pa asnjë konsultim me organet e partisë dhe nuk pasqyron vullnetin e anëtarësisë. Ajo nuk është serioze, nuk është reale dhe bie ndesh me parimet e transparencës dhe statutit të partisë.
- Para miratimit të kësaj marrëveshjeje:
• Nuk është mbledhur Kryesia Qendrore.
• Nuk ka marrë pjesë Këshilli i Përgjithshëm.
• Nuk janë konsultuar degët, nëndegët dhe bashkësitë në nivel vendi dhe në diasporë. - Vendimmarrja është bërë në mënyrë të njëanshme dhe në funksion të interesave personale, duke anashkaluar plotësisht interesin e Demokristianëve të Kosovës.
- Në takimin e fundit në Gjakovë:
• Nuk ka pasur forum legjitim të kryesisë.
• Janë dhënë deklarime të pavërteta lidhur me mungesën e mbështetjes nga LDK-ja, gjë që nuk përkon me realitetin.
“PSHDK ka qenë dhe duhet të mbetet parti e djathtë, me vlera të qarta politike, morale dhe shoqërore. Vendimet e fundit të kryetarit Morina nuk përputhen me këtë identitet dhe dëmtojnë integritetin e partisë. Nuk mund të jem pjesë e veprimeve që shkojnë kundër interesit të anëtarëve dhe që cënojnë drejtimin historik të Demokristianëve të Kosovës. Prandaj, dorëheqja ime është e domosdoshme dhe e pashmangshme”, ka deklaruar Antoni.

