Një tragjedi e rëndë ka goditur Mesdheun Qendror pasditen e sotme, kur një varkë me migrantë u përmbys në brigjet e Tunizisë. Të paktën 40 persona kanë vdekur si pasojë e mbytjes, mes tyre edhe disa të porsalindur.
Ngjarja ka ndodhur në brigjet e Salakta, në guvernatoratin Mahdia, një pikë kyçe e nisjes për migrantët që kërkojnë të arrijnë në Evropë.
Viktimat raportohet se janë migrantë nga vendet e Afrikës Sub-Sahariane. Stacioni lokal radiofonik Mosaique citoi zëdhënësin e gjykatës së Mahdias, Walid Chatrbi, i cili konfirmoi bilancin e viktimave.
Përpjekjet e shpëtimit nga njësitë e rojes bregdetare kanë arritur të nxjerrin të gjallë 30 migrantë të tjerë.
Ndërkohë, Zyra e Prokurorit Publik në Tunizi ka hapur menjëherë një hetim për të zbuluar rrethanat e plota të kësaj tragjedie. Kjo mbytje anijeje i shtohet listës së gjatë të viktimave në rrugën migratore mes Afrikës Veriore dhe Evropës, duke rikujtuar koston njerëzore të lartë të udhëtimeve të rrezikshme detare. /rtsh/