Artisti i shumëtalentuar Noizy ishte i ftuar special në emisionin “Ndryshe” me Elona Duro dhe Salsano Rapin, ku foli hapur për karrierën, jetën personale dhe planet e tij për të ardhmen.
Në një bisedë plot energji dhe sinqeritet, Noizy rrëfeu se përpara se të bëhej reper, ëndrra e tij e parë ka qenë të bëhej aktor.
“Me thënë të drejtën, ëndrra ime e parë përpara se të bëhesha muzikant ka qenë aktrimi. Mendoja përpara gjumit se një ditë do bëhesha aktor dhe do isha më i miri. Kur të kthehesha në Shqipëri, do e realizoja këtë.”
Ai tregoi se gjithmonë e ka ndjerë mallin për atdheun dhe e ka parë Shqipërinë si vendin ku do ta ndërtonte karrierën e tij:
“Asnjëherë nuk e kam pasur në mendje të jetoja jashtë. Më kishte mbetur peng fakti që ma vodhën fëmijërinë, ndaj gjithmonë thosha: kur të kthehem në Shqipëri, do bëj këtë e atë. Ishte aktrimi, por muzika ishte degë e artit.”

Pas suksesit ndërkombëtar me filmin “Troubleshooters”, Noizy zbuloi se do të shfaqet së shpejti në një projekt të ri kinematografik


“The Blood Money” – një film dramë dhe aksion, ku Noizy luan rolin e një street fighter-i që përfundon në burg, por jo për fajin e tij.
“Skenaristi është shqiptaro-gjerman, Enkelejdi, një talent i madh në zhanrin e dramës. Filmi nuk ka armë, por më shumë boks dhe jetë rrugësh. Historia ime në film është e një njeriu që ka luftuar për të dalë nga errësira, por jo plotësisht historia ime e jetës reale.”
Kur u pyet nëse aktrimi mund të zërë vendin e muzikës në jetën e tij, Noizy u përgjigj me qetësi:
“Nëse unë vendos që të mos ndalem, të rri larg ekraneve, besoj ajo do ndodhë.”