back to top
December, 19, 2025
spot_img
BallinaLajmeKëto janë partitë në Kosovë që po e mbështesin protestën e 17...

Këto janë partitë në Kosovë që po e mbështesin protestën e 17 tetorit në Tiranë për ish-krerët e UÇK-së

- Advertisement -

Një protestë gjithëkombëtare pritet të mbahet më 17 tetor në sheshin “Skënderbeu” në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Kjo do të jetë protesta e tretë me radhë gjatë këtij viti, përmes së cilës është kërkuar lirimi i tyre.

Kjo protestë është mbështetur nga dy krerët e partive opozitare në Kosovë, Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Krasniqi ka thënë se le të jetë kjo protestë thirrje e të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë, për të mbrojtur historinë, dinjitetin dhe luftën për liri.

“Nga Tirana në Prishtinë, nga Shkupi në Ulqin, nga Presheva deri në diasporë, një zë, një qëndrim, një kauzë: Drejtësi për çlirimtarët tanë!”, ka shkruar ai në ‘Facebook’.

Mbështetje kësaj proteste i ka dhënë edhe Haradinaj. “Qëndrojmë gjithmonë në të drejtën e luftës sonë për liri”, ka thënë ai.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka njoftuar se protesta do të jetë paqësore, me kërkesën për drejtësi ndaj ish-eprorëve të UÇK-së.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, nga Tirana u bëri thirrje qytetarëve dhe forcave politike që t’i bashkohen protestës, duke theksuar se ajo pason demonstratat e mbajtura më parë në Prishtinë dhe në Hagë, ku ndodhet selia e Dhomave të Specializuara.

“Sot nga kjo tryezë ju drejtohemi të gjithë shqiptarëve, partive politike, bashkohuni me ne në këtë protestë paqësore në Tiranë. Le të ngrihemi të gjithë si një vend i vetëm që t’i kundërvihemi padrejtësive”, tha Gucati.

Organizatorët theksojnë se protesta synon të shndërrohet në një thirrje të përbashkët gjithëkombëtare kundër procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilin e konsiderojnë të padrejtë.

- Advertisement -
ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

MË TË SHIKUARAT

- Advertisment -