Gjykata Themelore në Gjilan, përmes aktgjykimit PKR.nr.200/2023, ka shpallur fajtor përfaqësuesin e kompanisë Sallahu SHPK, Naim Sallahu, për kryerjen e veprës penale keqpërdorim dhe mashtrim në prokurimin publik nga neni 415 paragrafi 1 te KPRK-së.
Përfaqësuesit të kompanisë “Sallahu”, Naim Sallahut i ndalohet pjesëmarrja në procedurat e dhënies së kontratave në prokurim publik për një vit.
Ky vendim nga kjo gjykatë ka ardhur si rezultat i hulumtimit dhe inicimit të rastit nga AVONET, i cili është përcjellë me ngritjen e Aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Gjilan, shkruan Ballkani.info.
Gjatë hulumtimit të aktivitetit të prokurimit publik të titulluar asfaltimi i rrugës në Viti- Kërbliq, faza e dytë ishte vërejtur se operatori ekonomik Sallahu tek dokumenti i titulluar deklarata nën betim nuk kishte vepruar në përputhje me dispozitat e legjislacionit primar në fushën e prokurimit publik, konkretisht me nenin 65 të LPP-së, ku kishte tentuar për të mashtruar autoritetin kontraktues (Komuna e Vitisë), duke mos prezentuar një aktgjykim të plotëfuqishëm i cili e ka shpallur fajtor personin tashmë të dënuar, e që sipas paragrafit 3.1 dhe 3.6 të nenit 65 të LPP-së, i cili në mënyrë decidive tregon format dhe mënyrat e aplikimit, në rast se drejtori- pronari, inxhinieri i kontratës apo dikush nga stafi ka qenë i dënuar në 10 vitet e fundit, atij i ndalohet që të merr pjesë në aktivitete të prokurimit.
Kështu që sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan personi në fjalë me rastin e aplikimit në këtë aktivitet të prokurimit, ka përmbushur të gjitha elementet e figurës së veprës penale keqpërdorim dhe mashtrim në prokurimin publik nga neni 415 paragrafi 1 te KPRK-së. /Ballkani.info/