Sot (26 korrik) nisin Lojërat Olimpike Paris 2024, të cilat zgjasin deri më 11 gusht, e ku Kosova do të prezantohet me 9 sportistë.
Ekipi olimpik i Kosovës do të paraqitet me pesë xhudistë, një boksiere, një atlete dhe me dy notues.
E Serbinë po e shqetëson një çështje: çka nëse ndodhen bashkë me sportistët e Kosovës në podium?
Për këto është deklaruar presidenti i Komitetit Olimpik të Serbisë, Bozhidar Malkoviq për revistën serbe NIN.
Ai ka thënë se me rëndësi është që, nëse ndeshen me sportistët e Kosovës, t’i mposhtin ata dhe se ikja s’është në natyrën serbe.
“Për këtë çështje, në nivel shtetëror, nuk miratojmë apo përcaktojmë qëndrim. Të dalim apo jo në podium? Qëndrimi im është që të dalim në podium, se nuk është serbe të ikësh. Ta mposhtim atë kundërshtar nga Kosova! Ata janë anëtarë të KON-it si të gjithë anëtarët e tjerë të KON-it. Si Britania, Gjermania, si Serbia. Edhe Thomas Bach, presidenti i KON-it, kërcënoi gjatë Rios se do të na pezullonte dhe do të na përjashtonte nga anëtarësia e tij nëse refuzonim të luanim. Unë pyes, kush ka të drejtë të shkatërrojë rininë e vet, kush ka të drejtë të rrezikojë të ardhmen e tyre me një lëvizje të tillë, duke rrezikuar të mos marrë pjesë në Olimpiadë? Kush është ky dhe pse e bën këtë?”.
“I thashë presidentit të vendit qëndrimin tim. Ai zbriti në katin e poshtëm para të gjithë ekipit përpara Tokios, kur na priti, dhe pranoi atë që sugjerova – të mos largohemi nga podiumi. Unë them, nuk është serbe të ikësh. Dhe ky është pozicioni im. Sigurisht, dikujt nuk do t’i pëlqejë, këtë e di. Ndoshta si civil do të mendoja ndryshe. Më besoni, kjo është e vetmja gjë e duhur”, tha Malkoviq.
Listës së ekipit olimpik të Kosovës i prijnë kampionet olimpike, xhudistet Distria Krasniqi e Nora Gjakova, pastaj tre xhudistët tjerë, Laura Fazliu, Akil Gjakova e Loriana Kuka.
Sportistët e tjerë që do ta përfaqësojnë Kosovën në Paris janë, Donjeta Sadiku në bosk, Gresa Bakraqi në atletikë, dhe Hana Beiqi dhe Adell Shaboviq në not.
Më 28 korrik, Distria do ta ketë përballjen e parë nga ekipi i Kosovës.
Serbia në këto lojëra do të prezantohet me 112 sportistë.