Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, e ka pranuar se ka pasur lëshim nga mediumi publik kur u vendos që të publikohej një artikull ku thuhej se dy media në Kosovë financohen nga Serbia.
Boletini në një përgjigje për “Debat Plus”, tha se është krijuar një komision Ad-Hoc për ta shqyrtuar publikimin e artikullit të cilin e cilësoi si kontrovers.
“Sot është krijuar komisioni Ad-Hoc për shqyrtimin e lajmit kontrovers të transmetuar në RTK, i cili është marrë dhe përkthyer nga një medium boshnjak. E inkurajoj komisionin që ta trajtojë sa më shpejtë që të jetë e mundur këtë rast dhe të dal me një raport profesional dhe objektiv dhe rrjedhimisht ai të vij edhe si propozim në bord. Kam përshtypjen që nga jashtë nuk kuptohen procedurat e vendimmarrjes në RTK. Do të ishte ideale sikur të ishin sikur në sektorin privat”, tha ai.
Sipas tij bordi s’mund të marrë veprime nëse nuk ka propozime nga komisioni në fjalë.
“Bordi nuk mund të marrë as edhe një veprim të vetëm pa pasur propozim. Në rastin konkret bordi nuk mund të ndërmarrë asgjë pa e kryer punën e vet komisioni që është emëruar tashmë. Sa i përket pyetjes për dorëheqje, nga këndvështrimi im, në situata komplekse zgjidhja me e lehtë është dorëheqja, është zgjidhje e problemit në rrafshin personal. Por, në situatën ku jemi, prioritet imi është kërkimi rigoroz i përgjegjësisë për lëshimin që është bërë, jo ikja nga problemi dhe përgjegjësia”, tha ai.
Tutje Boletini u shpreh se “Raportimet që bazohen vetëm në pretendime dhe të pabazuara është e papranueshme të kenë vend në RTK. Pas adresimit të kësaj përgjegjësie deri në fund, te të gjithë personat e përfshirë, atëherë gjëja më e lehtë e mundshme është të shoh pozicionin tim”.