Presidenti amerikan Donald Trump në muajin prill kishte dalë në oborrin e Shtëpisë së Bardhë teksa në dorë mbante një listë të gjatë me shtetet ndaj të cilave kishte vendosur tarifat e reciprocitetit si kundërpërgjigje.
Kosova figuronte në këtë listë me taksën ndaj SHBA-së prej 10 për qind, transmeton Gazeta Papirus.
Këtë taksë e ka hequr fiks pas gjashtë muajsh kur Kosova u gjend në listën e Trumpit. Por ky proces kishte nisur menjëherë pas daljes së Trumpit.
E menjëhershme ishte beteja në Kosovë se cili institucion të merrte i pari vendimin për heqjen e taksave ndaj aleatit kryesor të Kosovës.
Presidentja Vjosa Osmani më 3 prill të vitit 2025 reagoi menjëherë duke i kërkuar qeverisë në detyrë që të pezullonte tarifat e importit për të gjitha produktet amerikane.
Por si presidentes Osmani për heqjen e taksave, nuk po i ngutej edhe qeverisë në detyrë të Albin Kurtit.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ishte ankuar se kërkesa e presidentes ishte dërguar pas orarit të punës.
Në reagimin e tij Murati kishte thënë se këto çështje shteti i trajton larg mediave, dhe publiku njoftohet kur të merret vendimi.
“Sot pas orarit të rregullt të punës, në lajme lexova që Presidentja e vendit i paska bërë kërkesë Qeverisë që të pezullojë tarifat ndaj produkteve me origjinë nga ShBA-të. Kërkesa në email ishte dërguar në adresë të Qeverisë në 17:39, ndërkaq kjo gjë ishte bërë publike në rrjetin social X në 17:42, veç 3 minuta më vonë” – kishte shkruar ai.
Ishte ankuar se një shtet serioz i trajton këto çështje larg mediave, duke sulmuar presidenten se përse kishte vënë në publik kërkesën e saj.
“Secili shtet serioz, këto çështje i trajton larg mediave, dhe publiku njoftohet kur të merret vendimi. Për më tepër, politikat fiskale bien në fushëveprimin e ekzekutivit, konkretisht ministrisë përgjegjëse për financa”- ka shtuar ministri Murati.
Atij i ishte kundërpërgjigjur këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, që kishte thënë se Murati është njeriu i fundit që mund të flasë për seriozitet.
Sot më 1 gusht, Murati njoftoi për heqjen e taksave ndaj SHBA-së. E cilësoi si dëshmi “të partneritetit të palëkundur” me SHBA-në.
“Qeveria e Republikës së Kosovës merr vendim: 0% tarifë doganore për produktet Amerikane”, shkroi ai.
“Edhe një dëshmi tjetër për partneritetin e palëkundur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Le të jetë ky një hap i parë drejt një marrëveshjeje për tregti të lirë në mes të vendeve tona”, shkroi Murati.
Ndërkaq, presidenti amerikan, Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv me të cilin vendosen tarifa doganore më të larta për dhjetëra vende në mbarë botën, me qëllim që të “ristrukturohet tregtia globale në favor të punëtorëve amerikanë”, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë.
Tarifat e reja variojnë nga 10 deri në 41 për qind, me tarifën më të lartë për Sirinë. Bashkimi Evropian, Japonia dhe Koreja e Jugut do t’i nënshtrohen një tarife prej 15 për qind.
Gjersa Kosova dhe Shqipëria nuk figuron në listë e të ‘dënuarve’, Serbia do të përballet me tarifa prej 35 për qind, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina me 30 për qind, raporton cnn.
Në dokumentin e publikuar, Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se qëllimi i tarifave është “ristrukturimi i tregtisë globale në favor të punëtorëve amerikanë” dhe se ato do të hyjnë në fuqi më 7 gusht, jo më 1 gusht siç ishte paralajmëruar më herët. Tarifat për mallrat kanadeze rriten nga 25 në 35 për qind, por do të hyjnë në fuqi që të premten.
Tags: fort murati orarit osmani pasperplasen taksatte punes Trump