Ilir Morina, babai i futbollistit nga Drenoci i Malishevës, Erjon Morina ka dalë me një falenderim publik pas vdekjes së djalit të tij, shkruan GazetaDemos.
Erjoni vdiq para pak ditësh, pasi i njëjti një muaj më parë pësoi sulm dhe ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore
Babi i tij ka falenderuar të gjithë njerëzit që u qënduarn pranë në këto momente të vështira.
“Me rastin e mbylljes së të pames, dëshiroj që në emrin tim, Florës, Arianitit, Orgesit, Nilës dhe familjes Morina të shprehim falenderimet tona më të sinqerta për juve që na u gjendet pranë në javët më të rënda të jetës tonë”, u shpreh ai.
Postimi i plotë:
FALENDERIM PUBLIK
Të nderuar familjarë, miq, shoqëri, kolegë e qytetarë të Republikës së Kosovës e përtej kufijve.
Ka katër ditë që djali ynë i dashur Erjoni është në parajsë me engjujt duke na lënë zbrazëti në shpirt por krenar për emrin që kishte bërë.
Me rastin e mbylljes së të pames, dëshiroj që në emrin tim, Florës, Arianitit, Orgesit, Nilës dhe familjes Morina të shprehim falenderimet tona më të sinqerta për juve që na u gjendet pranë në javët më të rënda të jetës tonë.
Falenderojmë stafin mjekësor të QKUK-së për përpjekjet e pakompromis dhe punën e palodhur për jetën e Erjonit, por edhe për humanitetin dhe mirëkuptimin për situatën e familjes time për 49 ditë e netë me radhë. Falenderojmë edhe mjekët nga Shqipëria, Zvicrra, Sllovenia, Kroacia, Spanja, Turqia që me këshillat e tyre na lehtësuan ballafaqimin e gjatë me një situatë të rëndë e të paparishikueshme në jetën tonë. Ata veç se na konfirmuan se kemi mjek të shkëlqyer në Kosovë të cilëve shpesh nuk po ju jemi mirënjohës sa duhet. Unë dhe familja ime do t’ju jemi përjetë mirënjohës, sepse ata mjekë dhe infermiere jo vetëm punuan por edhe bashkëvuajtën me ne këto shtatë javë.
Falenderojmë komunitetin e futbollit duke filluar me bashkëlojtarët e Erjonit te KF “Vushtrria” që të parët ofruan ndihmën e parë në një situatë krize të papërjetuar nga ata të rinjë më parë. Poashtu falenderojmë të gjitha klubet ku ka luajtur e ku nuk ka luajtur Erjoni për solidaritetin dhe dedikimin e shprehur nëpër stadiume në ndeshjet e 7 javëve të fundit.
Falenderojmë të gjitha mediat për një informim dhe senzibilizim me plot kujdes të rastit të sëmundjes së Erjonit por edhe përcjelljen e ceremonisë së varrimit. Ato storje prekëse me video e storie të shkruara do të mbesin pjesë e kujtimeve tona për Erjonin krahas fanelave të cilat i ka veshur.
Falenderim nga thellësia e zemrës për të gjithë ata qytetarë nga çdo vend i botës që u lutën pēr jetën dhe shërimin e Erjonit nëpër rrjete sociale, në xhamia e në kisha, nëpër shtëpi e institucione e më së shumti thellë në zemrat e tyre.
Falenderojmë me mijëra qytetarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Diaspora që morën pjesë në ceremoninë e varrimit dhe të pamen për djalin tonë si dhe shprehjen e ngushllimeve nëpërmjet rrejteve sociale dhe formave tjera të komunikimit. Na keni lehtësuar dhimbjen duke e bërë Erjonin jo vetëm djalë tonin por të mbarë Kosovës. Të gjithë paqit vetëm gëzime në jetën dhe familjet tuaja e jo dhimbje të tilla.
Lutemi nga thellësia e shpirtit që tragjedia e Erjonit tonë të jetë e fundit në futbollin kosovar.