Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka dërguar sot në Gjykatën Kushtetuese 16 ligje të miratuara në seancat e mbajtura më 5 dhjetor 2024, duke i kontestuar ato për shkelje procedurale dhe njërën prej tyre edhe për shkelje të përmbajtjes, raporton Scanner.
Tahiri tha se këto seanca, që shënuan një rekord të zi parlamentar, kanë dhunuar rendin tonë kushtetues, duke cenuar rolin, funksionin dhe mandatin e deputetëve, komisioneve parlamentare dhe vetë Kuvendit.
“Çfarë ndodhi më 5 dhjetor, ishte një shembull flagrant i shkeljes së Rregullores së Kuvendit dhe praktikave demokratike të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe atyre evropiane. Gjithë këto ligje, shumica e të cilëve u miratuan brenda të njëjtës ditë, janë rezultat i një procesi të papranueshëm që dëmton integritetin parlamentar”, theksoi ai.