Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka prezantuar sot sistemin e hallkave për mbikëqyrje elektronike, i cili synon të rrisë sigurinë dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.
Sipas Kurtit, ky sistem do mundësojë reagim të shpejtë të Policisë në rastet kur dhunuesi shkel urdhrin mbrojtës duke iu afruar viktimës.
”Me sistemin e hallkave për mbikëqyrje elektronike, në rastet kur kryesi i dhunës i afrohet viktimës përkundër urdhrit mbrojtës, menjëherë do të lajmërohen niveli mbikëqyrës lokal dhe ai qendror i Policisë, duke u mundësuar atyre reagim efikas dhe në kohë. Kjo ka qenë një kërkesë e kamotshme e Policisë sonë, e cila me mbështetjen e Qeverisë sonë po plotësohet”, tha Kurti, në një postim në Facebook.
Ai e cilësoi këtë hap si një domosdoshmëri për mbrojtjen e jetës së viktimave dhe parandalimin e dhunës në baza gjinore dhe familjare.
Gjatë vizitës në Policinë e Kosovës, ku u demonstrua funksionimi i pajisjeve të monitorimit elektronik, kryeministri ishte i shoqëruar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha.
Sot kemi bërë një hap jashtëzakonisht domethënës në zbatimin e urdhrave mbrojtës dhe në rritjen e sigurisë për viktimat”, shtoi Kurti.
Kjo duke theksuar rëndësinë e këtij sistemi për parandalimin e rasteve të dhunës dhe për mbrojtjen e viktimave në baza gjinore.