Ish-kryetari i Komisionit për Pune të Jashtme në Bundestag-un gjerman, Michael Roth, ndërsa ka komentuar shpërthimin në Varagë të Komunës së Zubin Potokut, shpërthim ky i cili dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit nga ku furnizohen me ujë disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj, ka vlerësuar se shpërthimi i përngjan metodës së “sulmit terrorist rus”.
“Nëse Serbia qëndron vërtet pas saj, që shpresoj se nuk është, atëherë ky do të ishte fundi i negociatave të BE-së me Serbinë”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.
Më 29 nëntor rreth orë 19:00 një shpërthim i fuqishëm në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Nga shpërthimi nuk ka pasur viktima, megjithatë dëmi material, sipas autoriteteve të Kosovës, ishte i madh, meqë ishte goditur infrastruktura kritike e Kosovës dhe një pjesë e vendit rrezikohej të mbetej pa ujë dhe energji elektrike.
Mu për këtë arsye, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – si asnjëherë më parë – mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për media pak para mesnate duke njoftuar opinionin se sulmi “i rëndë kriminal, terrorist e dashakeq” gjenezën e ka në Serbi.
Ndërkohë Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriç, kritikoi Kurtin, se po bën “diversion të qëllimshëm”, dhe tha se Serbia nuk qëndron prapa sulmit.