Pas shpërthimit të mbrëmshëm në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut ku u dëmuta kanali i ujit të Ibër-Lepencit, Policia ka njoftuar për bastistje në dy fshatra atje.
Këtë e ka bërë të ditur zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, i cili konfirmoi se në fshatrat Varragë dhe Uglarë, në territorin e komunës së Zubin Potokut, janë duke u bërë bastisje.
Elshani shtoi se për momentin nuk mund të japë më shumë informacione.
“Po, policia po bën kontrolle, por nuk mund të them asgjë më shumë për këtë”, tha shkurt ai.
Në një konferencë për shtyp mbrëmë në orët e vona, kryeministri Kurti tha se ky është sulm kriminal dhe terrorist i cili ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën tonë kritike dhe ishte tentativë e rrezikimit të furnizimit me energji elektrike dhe ujë në vendin tonë.
Për këtë, kreu i ekzekutimit e ka bërë fajtor Beogradin zyrtar, i cili tha se strukturat e tyre kriminale me në krye Millan Radojçiqin, mbështeten nga institucionet serbe, dhe nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Ndërkohë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi se është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e Prishtinës, pas shpërthimit të mbrëmshëm në Zubin Potok, ku si pasojë u dëmtua kanali i ujit i Ibër Lepencit.
Rizvanolli tha se janë vendosur gjashtë tuba të përkohshëm me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B dhe se presin që të mos cënohet furnizimi me energji elektrike.