Vëllai i deputetes Fitore Pacolli, Blerim Pacolli, ka dalë me një sqarim publik pas denoncimit fillestar që iu bë atij nga një anëtar i LDK-së për një grant të fituar nga ministria e Bujqësisë në vlerë rreth 100 mijë euro, për të cilin ekziston edhe dokument.
Blerim Pacolli e ka pranuar se ka fituar grant nga ministria që drejton Faton Peci dhe ka treguar se e ka regjistruar biznesin pasi është njoftuar se e ka fituar grantin, meqë thotë se kontrata duhej të nënshkruhej me person juridik dhe jo fizik.
Ai ka thënë se e ka fituar grantin, por jo pse është vëllai i deputetes Fitore Pacolli.
“Kam aplikuar si fermer i lirë e as nuk kam llogaritur në Fitoren e as nuk e kam informuar se do të aplikoj. Unë jam i barabartë me fermerët tjerë pavarësisht se kënd e kam motër apo vëlla dhe kam pasur të drejtë të aplikoj prandaj edhe kam aplikuar. E kam fituar grantin sepse i kam plotësuar kriteret jo sepse e kam Fitoren motër. Dyshimet nuk mund t’ua hjeku unë e as nuk e kam ndërmend të tentoj ta bëjë një gjë të tillë”, ka shkruar Blerim Pacolli.
Sqarimi i plotë:
Unë Blerim Pacolli, kam vite që merrem me bujqësi në Kosovë dhe dje emri im është lakuar nëpër portale kinse unë paskam fituar grantin vetëm pse jam vëllau i Fitore Pacollit.
Këtë veprimtari unë e kam filluar vite më herët, para se Fitorja të inkuadrohet në politikë. Unë kam kultivuar me vite grurë dhe aronia për të cilat edhe kam përfituar subvencione në Komunën e Prishtinës ashtu siç kanë përfituar fermerët tjerë. Pastaj e kam zgjeruar investimin në kultivimin e dhive malore për të vazhduar me lopë qumështore.
Deri sot çdo gjë që e kam investuar në Kosovë, e kam bërë me financa të mia të cilat i kam përfituar duke punuar me djersë në Londër përgjatë 30 viteve në mërgim. Unë kam investuar në Kosovë sepse kam vendosur që bashkë me familjen të kthehem dhe kam punësuar punëtorë duke ndihmuar banorë të zonave ku kam edhe investimet.
Vëllau i Fitore Pacollit fiton grant 100.000 euro
Kjo nuk është e vërtetë. Unë kam fituar grant por nuk i kam fituar 100.000 euro siç po shkruhet nëpër portale. Kam aplikuar me projekt për shtallë për lopê qumshtore, vlera e të cilit arrinë në 100.000 euro. Ministria mbulon 65% shumës së projektit ndërsa unë me financat e mia mbuloj 35% të vlerës. Kush do që din pak matematikë të nivelit fillestar e kupton se vlera që Ministria mbulon projektin është 63.000 euro asnjë cent më shumë.
Biznesi “Alda Farm Ria” është regjistruar para pak ditëve
Po bëhet propagandë dhe po tentohet të më njollosin mua kinse unë e paskam hapur biznesin për të manipuluar e përfituar shpejtë dhe pa meritë. Unë kam vepruar siç është e përcaktuar me kritere të Ministrisë. Si fermer nuk kam pasur biznes të regjistruar, siç nuk kanë shumica e fermerëve. Të kesh biznes të regjistruar para se të aplikosh për grant nuk kriter. Mirëpo, në momentin kur e fiton grantin, duhet patjetër të regjistrohet biznesi pasi që kontrata duhet të bëhet ndërmjet Agjencionit për Zhvillimin e Bujqësisë dhe biznesit (personit juridik) e jo fizik. Të gjithë ata që kanë kanë pak njohuri rreth granteve e dijnë që fillimisht kërkohet që të plotësohen kushtet e aplikimit, pastaj nëse e fiton grantin kërkohet regjistrimi i biznesit dhe në fund nënshkrimi i kontratës. Unë kam vepruar siç jam udhëzuar nga Ministria.
Grantin e ka fituar sepse e ka motrën deputetet
Nuk qëndron. Të gjithë ata fermerë që kanë aplikuar sikurse unë dhe kanë plotësuar kriteret e kanë fituar grantin dhe nuk kanë pasur nevojë të ndihmohen nga dikush që njohin. E kanë fituar sepse e kanë merituar. Njësoj edhe unë kam aplikuar. Kam aplikuar si fermer i lirë e as nuk kam llogaritur në Fitoren e as nuk e kam informuar se do të aplikoj. Unë jam i barabartë me fermerët tjerë pavarësisht se kënd e kam motër apo vëlla dhe kam pasur të drejtë të aplikoj prandaj edhe kam aplikuar. E kam fituar grantin sepse i kam plotësuar kriteret jo sepse e kam Fitoren motër. Dyshimet nuk mund t’ua hjeku unë e as nuk e kam ndërmend të tentoj ta bëjë një gjë të tillë.
Ju si gazetar “profesional” nuk ju lejohet të publikoni dezinformata duke e ditur që asgjë çka ju pretendoni nuk është e vërtetë. Gazetarët e mirëfillt hulumtojnë dhe mbledhin faktet e pastaj reagojnë. Me postimet që dje keni bërë ju e keni shkelur etikën e gazetarisë. Keni shpifur kinse e paskam fituar grantit pa meritë. Keni shpifur aq ultë pa prezantuar asnjë fakt të vetëm se Fitorja dhe Ministri Peci më paskan ndihmuar. Keni shpifur ultë në mënyrë që publikut t’i servoni lajme të pavërteta.
Nëse keni fakte që Fitorja paska ndikuar në përfitimin e grantit publikoni ato mos shpifni.
Unë gjatë gjithë jetës time kam jetuar e punuar me nder e do të vazhdoj kështu.