Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, po pretendon se sekretari Besim Latifi, është sulmuar nga bashkëpunëtori i ngushtë i kryetarit të kësaj komune, Shpejtim Bulliqi.
Në reagimin e degës së LDK-së thuhet se incidenti ka ndodhur pa ndonjë problem paraprak.
“Rasti është raportuar në Policinë e Kosovës dhe, sipas njoftimeve të policisë, i njëjti është duke u trajtuar sipas procedurave të institucioneve të rendit dhe ligjit”, thuhet në reagim.
Sipas kësaj dege, pushteti lokal në Podujevë, përmes sulmeve të tilla, ka për qëllim ta ndalë zërin opozitar.
“Ai për ta realizuar këtë nuk është duke zgjedhur as forma, e as veprime. Por, as nuk na kanë ndalur e as nuk do të na ndalin, në përmbushjen e misionit tonë si opozitë e vetme në Podujevë”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Ndryshe, para disa ditësh ka pasur edhe një përplasje në këtë komunë mes dy partive, VV-LDK, konkretisht mes kryetarit të komunës Shpejtim Bulliqi dhe asamblistit të LDK-së, Ekrem Rrahmani.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë,
Sot, rreth orës 17:00, në afërsi të objektit të vjetër të komunës, bashkëpunëtori i ngushtë i Kryetarit Bulliqi, R.H, pa asnjë justifikim dhe problem paraprak ka sulmuar dhe kërcënuar sekretarin e degës, Besim Latifi.
Rasti është raportuar në Policinë e Kosovës dhe, sipas njoftimeve të policisë, i njëjti është duke u trajtuar sipas procedurave të institucioneve të rendit dhe ligjit.
Pushteti lokal në Podujevë, përmes sulmeve të tilla, ka për qëllim ta ndalë zërin opozitar. Ai për ta realizuar këtë nuk është duke zgjedhur as forma, e as veprime. Por, as nuk na kanë ndalur e as nuk do të na ndalin, në përmbushjen e misionit tonë si opozitë e vetme në Podujevë.
Podujevë, 15 shtator 2024
Komisioni për informim i LDK – Podujevë