Share
Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike e sheh bllokimin e pikëkalimeve si “dështim serioz të organizatorëve”.
Janjiq beson se qëllimi kryesor i bllokadave ishte largimi i vëmendjes dhe ikja nga tema e litiumit, për të cilën temë autoritetet serbe kanë hasur në kundërshtimin e disa qytetarëve.
“Dhe nëse do të transferohej në Kosovë si tani, kemi disa radikalë, kështu që Beogradi, Qeveria do t’i largojë, tashmë i ka hequr [bllokadat]. Mendoj se është një vetëgoditje [për Serbinë] sepse Qeveria e Kosovës e përdori mirë”, thotë ai.
Veprimet e Prishtinës në veri të Kosovës dhe bllokadat në anën serbe të kufirit ndodhën në kohën kur Qeveria e Kosovës po përballet me kritika nga bashkësia ndërkombëtare për veprime “të njëanshme dhe të pakoordinuara”.
Një ndër këto veprime është edhe mbyllja e institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës.
Më 30 gusht, Policia e Kosovës mbylli pesë institucione paralele serbe në veri të Kosovës.
Institucionet e mbyllura ishin: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.
Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.
Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.
Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht./REL/