Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Muhamet Alidemaj, i akuzuar për krime lufte në Izbicë më 1999, deklaroi se është i pafajshëm. Në këtë seancë u administruan edhe provat materiale.
Sipas aktakuzës, Alidemaj kishte marrë pjesë, bashkë me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës, e cila kishte ndodhur në mars të vitit 1999, ku ishin vrarë dhe masakruar 130 shqiptarë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, në këtë seancë, prokurori special Ilir Morina deklaroi se mbesin pranë provave të propozuara si në shqyrtimin e kaluar, duke propozuar administrimin e tyre edhe në këtë shqyrtim.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Alidemaj, avokati Millosh Deleviq, propozoi leximin e deklaratave të dëshmitarëve të mbrojtjes.
Lidhur me këto propozime, trupi gjykues mori aktvendim me të cilin konstatoi të lexuara provat e propozuara nga palët në procedurë.
Tutje, në radhën e dhënies së mbrojtjes, i akuzuari Alidemaj deklaroi se mbetet pranë deklarimeve të dhëna në prokurori dhe gjykatë, duke theksuar sërish qëndrimin e tij lidhur me akuzën.
“Një milion përqind i pafajshëm”, tha Alidemaj.
Prokurori Morina, në radhën e dhënies së fjalës përfundimtare, propozoi ndërprerjen e seancës, me arsyetimin se, duke u bazuar në Kodin e Procedurës Penale, ekziston mundësia e paraqitjes së aktakuzës së ndryshuar, andaj kërkoi që fjala përfundimtare të vazhdojë në një seancë tjetër.
Propozimin e prokurorit Morina nuk e kundërshtoi mbrojtja e të akuzuarit Alidemaj, duke theksuar se kjo është një e drejtë ligjore që e lejon Kodi i Procedurës Penale, duke ia lënë vendimmarrjen gjykatës.
Lidhur me propozimin e prokurorit Morina, trupi gjykues mori aktvendim me të cilin e aprovoi këtë propozim, ndërsa seancën e radhës e caktoi në një datë tjetër.
Ndryshe, në seancën fllestare më 29 prill 2022, në gjykimin e parë, Alidemaj ishte deklaruar i pafajshëm. Njëjtë u deklarua edhe në seancën e rigjykimit më 23 tetor 2025.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 12 korrik 2024 e shpalli Muhamet Alidemajn fajtor dhe e dënoi me 15 vjet burg për krime lufte gjatë vitit 1999 në Izbicë. Ndaj tij u shpall aktgjykim refuzues për dispozitivin e dytë, ku ngarkohej për zhvarrosjen e trupave me ekskavator, pasi në fjalën përfundimtare në seancën e 9 korrikut 2024, prokurori Ilir Morina u tërhoq nga pika e dytë e dispozitivit të aktakuzës, për shkak se nuk ishte arritur të vërtetohet se i akuzuari Alidemaj ka marrë pjesë në zhvarrosjen e viktimave.
Por, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.
Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dhunë i ndajnë gratë e fëmijët dhe dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë.
Ndërsa, aktakuza thotë se burrat e mbetur i ekzekutojnë me armë automatike duke i vrarë 130 persona, prej të cilëve 114 viktima u identifikuan, kurse 12 civilë i mbijetuan ekzekutimit. Pas dy muajve, thuhet se i zhvarrosën trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur. Ndërsa, pas përfundimit të luftës trupat e viktimave u gjetën në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, në fshatin Suhodoll të Mitrovicë dhe në fshatin Novolan të Vushtrrisë.
Me këtë, akuzohej se në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar sipas veprës penale “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës”, nga neni 146, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi/

